Ish-kryeministrja e Ukrainës, Yulia Tymoshenko, shpalli një grevë urie nga burgu ku po vuan një dënim 7-vjeçar për abuzim me detyrën.
Greva e 51-vjeçares ka nisur që prej ditës së premte, lajmëroi avokati i saj mbrojtës, Serhiy Vlasenko, në agjensinë ruse “Interfax”, ndërsa doli nga një takim me ish-kryeministren nga burgu i ndodhur në qytetin e Harkivit.
Dënimi i Tymeshenkos është konsideruar si politik nga vendet perëndimore, që kanë shpallur një seri masash ndaj Ukrainës dhe kanë kërkuar lirimin e saj të menjëhershëm.
Sipas Vlasenkos, greva është një mënyrë proteste për “të gjithë atë që është duke ndodhur në vend dhe në bugun e saj aktualisht”.
Që prej burgosjes, Tymoshenko është diagnostikuar me një seri problemesh shëndetësore, midis të cilëve edhe një bllokim serioz në shpinë, që e detyron të qëndrojë pothuajse vetëm shtrirë. 51-vjeçarja është diagnostikuar së fundmi edhe me probleme në stomak.
Nuk ka asnjë konfirmim rreth grevës së urisë së ish-kryeministres nga autoritetet e burgut.
Tymeshenko u shpall fajtore më parë gjatë vitit dhe u dënua me shtatë vjet heqje lirie për shkak të akuzave të abuzimit me detyrën, në lidhje me një kontratë gazi që u nënshkrua me Rusinë në vitin 2009, kur ajo drejtonte vendin.
Megjithatë, gjatë javës së shkuar një proces i ri për evazion fiskal nisi kundër saj. Tymoshenko, ndonëse nuk pranon asnjë prej akuzave, përballet me mundësinë e zgjatjes së dënimit të saj deri në 18 vjet burg.
Top Channel