Presidenti i Kinës bëri thirrje për lidhje më të fuqishme me Korenë e Veriut, në një moment tensionesh mes dy Koreve pas dështimit të lëshimit të raketës-satelit nga Peniani.
Hu Jintao e bëri premtimin e tij në një takim me një delegacion të Partisë së Punës të ardhur në Pekin ditën e hënë, të kryesuar nga Kim Yong il.
Gjithashtu, takimi u zhvillua në kohën kur Koreja e Veriut ka kërcënuar për një “aksion të papreçedent” ndaj Seulit.
Ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë ngritur dyshimet mbi Kinën, se një raketëhedhës i parë javën e kaluar në Penian ishte me origjinë kineze.
Tensionet në gadishullin korean janë ngritur pas dështimit të lëshimit të raketës-satelit më 13 prill. Peniani deklaroi se do të ngrinte një satelit në orbitë, por kritikët thanë se lëshimi ishte në të vërtetë testim i një rakete me teknologji të ndaluar nga rezolutat e OKB-së.
Koreja e Jugut thotë gjithashtu se ka shenja se Veriu mund të jetë duke planifikuar një test të tretë bërthamor. Ndërsa Kina, që është aleati kryesor i Koresë së Veriut dhe partneri kryesor i tregtisë me të, nuk e dënoi testin në fjalë.
Në takimin e së hënës me delegacionin e Partisë së Punës, presidenti Jintao e vuri theksin tek lidhjet e ngushta mes dy vendeve.
“Ne do të vazhdojmë këtë traditë, do të nxisim komunikimin strategjik dhe koordinimin për çështje të rëndësishme ndërkombëtare, si dhe do të punojmë për paqen dhe stabilitetin në gadishullin korean”, tha presidenti kinez.
Kina, që shihet si vendi me shkallën më të lartë të influencës mbi Korenë e Veriut, ka bërë thirrje vazhdimisht për qetësi në gadishullin korean, në një moment kur tensionet mes dy Koreve janë rritur.
Top Channel