Chavez: Nuk kam vdekur

24/04/2012 00:00

Presidenti venezuelian Hugo Chavez ka folur në televizionin shtetëror
për herë të parë që kur mbërriti në Kubë për mjekim të mëtejshëm nga
kanceri, nëntë ditë më parë.

Chavez, 57 vjeç, hodhi poshtë zërat se kishte vdekur teksa bënte radioterapi për një tumor të dytë në pjesën e legenit.

Duke folur në telefon nga Havana, ai tha se zërat për vdekjen e tij ishin pjesë e një lufte psikologjike kundër tij.

Ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjike në shkurt dhe ka qenë në lëvizje mes Karakasit dhe Havanës për mjekim.

“Mesa duket duhet të mësohemi të jetojmë me këto zëra, pasi është pjesë e laboratorëve të luftës psikologjike, e luftës së pistë”, është shprehur Chavez.

Presidenti tha se mjekimi i tij po bënte progres dhe shtoi se do ta vazhdojë atë me vullnet dhe vendosmëri.

Ai u shpreh se kishte nevojë për një pushim të gjatë, por nënvizoi se ndihej i detyruar të vazhdonte punën e tij edhe gjatë trajtimit mjekësor.

Chavez shtoi se priste vizitën e ministrit të Jashtë, Micolas Maduro në Havana, për të diskutuar mbi reformën e punës në Venezuelë.

Top Channel