Barca nuk kalon “bunkerin” Chelsea

24/04/2012 00:00

Chelsea bën të pamundurën, me 10 lojtarë i reziston presionit të Barcelonës në Kamp Nou, barazon 2-2 dhe kualifikohet për në finalen e Ligës së Kampioneve aty ku do të përballet me fituesin e sfidës Real Madrid-Bajern Munich.

Një ndeshje që do të mbahet mend gjatë për mënyrën sesi u zhvillua dhe ndoshta mund të shënojë dhe fundin e ciklit Guardiola.  
 
E gjithë sfida u zhvillua në mesfushën e Chelsea-s.
 
Katalanasit e nisën mirë por në rastin e parë, Peter Cech u tregua i vëmendshëm. Barca sulmon e gjitha, Chelsea mbrohet me 11 lojtarë, ndërkohë që Drogba tenton të rrezikojë, por pa rezultat. Në një rast të tillë, dëmtohet Pique i cili rikthehet në fushë për disa minuta, por më pas del jashtë dhe dërgohet në spital.

Rezultati i ndeshjes zhbllokohet në të 35’ minutë, autori i golit është Busquets. Dy minuta më vonë Chelsea humbet edhe kapitenin John Terry i cili pas një xhesti antisportiv pa top ndëshkohet me të kuq. Epërsia numerike i dha mundësinë Barcelonës të dyfishojë shumë shpejt rezultatin, këtë herë është Iniesta.

U mendua se gjithcka tashmë ishte e mbyllur, por në minutat shtesë të pjesës së parë Ramires me super golin e tij shokoi Camp Nou.

Pjesa e dytë nisi më një 11 metërsh për Barcelonën, por Lionel Messi shënjestroi tranversën.
 
Pasimet e shkurtra dhe të sakta të Mesit, Iniestës apo dhe Xavit nuk arritën të canin murin e krijuar nga lojtarët londinezë para portës së tyre. Rasti më i mirë pas 11 metërshit ishte gjuajtja e Messit, por këtë herë shtylla anësore nuk lejoi golin.

Në minutat e fundit, kur të gjithë lojtarët e Barcës ishin në sulm, Torres i vetëm para Valdes nuk gaboi dhe shënoi golin e barazimit dhe të nokautit për Kampionët e Europës.

Top Channel