“Koha nuk pret. Nevoitet një ristrukturim i KQZ-së”. Ky ishte apeli i ambasdorit të SHBA Alexander Arvizu nga Korça, drejtuar koalicionit qeverisës dhe opozitës, një ditë pas konferencës që u mbajt për zgjedhjet në Uashington.

Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë. Çdo njeri dëshiron që të ketë zgjedhje të mira dhe populli shqiptar e meriton këtë, u shpreh Arvizu.

“Për të pasur zgjedhje të mira nevojitet një KQZ funksionale. Jo një KQZ të bazuar mbi një farsë; duhet të jetë rezultat i konsensusit politik, një marrëveshjeje. Të gjitha pjesët përbërëse ekzistojnë. Nuk ka mbetur shumë kohë dhe është me rëndësi që palët të mblidhen bashkë dhe të ristrukturojnë KQZ-në dhe pas kësaj të ndërtohen 89 KZAZ-të, kodi i sjelljes lidhur me zgjedhjet, kush do të jetë në qendrat e numërimit, pra të gjitha këto duhet të ndodhin”, deklaroi Arvizu.

Është me rëndësi që të zbatohen rregullat, theksoi Arvizu, po a janë zbatuar ato deri më tani?

“Për fat të keq nuk janë ndjekur kohët e fundit. Është me rëndësi që Kodi Zgjedhor të zbatohet sa më shumë që të jetë e mundur. Gjëja më e rëndësishme është vullneti politik. Askush nuk po flet për bojkot, askush nuk po flet për zgjedhje të shtyra. Duhet të ekzistojë gjithëpërfshirja për të cilën fola dje”, nënvizoi Arvizu, duke shtuar se të gjitha pjesët përbërëse ekzistojnë.

“Nuk duhet të ketë një farsë, por thjesht njerëzit t’i futen punës seriozisht për një KQZ funksionale. E rëndësishmja është që edhe opozita të jetë pjesë e kësaj, edhe qeveria, koalicioni qeverisës duhet të jetë pjesë. Nuk kemi ndonjë formulë magjike. Ndoshta ka më shumë se sa një zgjidhje, por një zgjidhje është e mundur. Presim që kjo të ndodhë”, shtoi ambasadori.

Këto deklarata ambasadori Arvizu i bëri pasi mori pjesë në ceremoninë e përuruimit të rinovimit të shkollës 9-vjeçare “Sotir Gura”, rinovim i mundësuar nga fondet e ndihmës humanitare të zyrës së bashkëpunimit për mbrojtjen në Komandën Amerikanë për Europën. Kjo zyrë ofroi rreth  900.000 dollarë për këtë projekt.

Një ditë më parë, analistë nga fondacione të ndryshme në Uashington diskutuan për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit në Shqipëri. Mendimi thuajse i njëzëshëm i pjesëmarrësve ishte se këto zgjedhje janë të një rëndësie kyçe për të ardhmen europiane të vendit, por deri diku edhe për besueshmërinë e Shqipërisë, si anëtare e NATO-s.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA