Presidenti i Sudanit, Omar al-Bashir, përjashtoi mundësinë e bisedimeve të paqes me Sudanin e Jugut, ndërsa theksoi se veprimet ushtarake do të vazhdojnë.
Deklarata e tij u bë të hënën gjatë një vizite në rajonin naftëmbajtës të Hegligut, i cili u rifitua pas pushtimit nga trupat e Sudanit të Jugut, rreth dy javë më parë.
Organizata e Kombeve të Bashkuara i kërkoi urgjentisht Jugut, i cili fitoi pavarësinë nga Sudani në korrik 2011, që të tërhiqej, ndërsa ekziston frika se konflikti kufitar është duke u përshkallëzuar në një luftë të plotë mes dy vendeve.
Sipas Sudanit të Jugut, trupat u tërhoqën nga Hegligu, por sipas al-Bashir, ishte ushtria e Sudanit ajo që i detyroi të zmbrapseshin, në një luftë në të cilën mbetën të vrarë mbi një mijë ushtarë.
Më parë gjatë të hënës, avionë të ushtrisë sudaneze u panë duke bombarduar rajone përtej kufirit nga korrespondentë të mediave ndërkombëtare. “Ne nuk do të bisedojmë me qeverinë e Jugut, pasi ata nuk kuptojnë asnjë gjuhë tjetër përveçse asaj të armëve”, deklaroi al-Bashir për “Reuters”.
Presidenti Barack Obama i kërkoi dy vendeve të pasura me naftë që të braktisin menjëherë mosmarrëveshjes dhe të ulen në tryezën e bisedimeve, por sipas të gjitha gjasave, konflikti po përshkallëzon në një luftë të re rajonale në Afrikë.
Aktualisht, kontinenti është i turbulluar edhe nga disa konflikte të tjera, me rebelët që i kanë shpallur luftë qeverive në Uganda, Mali, Çad e disa shtete të tjera e me grushte shteti në zhvillim në Mali e Guinea-Bisau.
Top Channel