Në orët e para të mëngjesit të së dielës një sinjalizim anonim ka lajmëruar karabinierët e Tricase, në pikën më skajore të takës së Italisë për lëvizje të dyshimta në plazhin e afërt me emrin Ciolo.
Forcat e rendit gjetën atje 12 çanta me 35 kilogramë marijuanë të paketuar më së miri për të përballuar lagështirën e detit pa u dëmtuar. Ndërsa po punohej për të verifikuar prejardhjen e lëndës narkotike, forcat aero-detare që patrullojnë kanalin e Otrantos zbuluan një gomone oqeanike 7 metra të gjatë, me motorr 225 kuaj fuqi.
Brenda saj 200 kilogramë të tjerë marijuanë të paketuara në mënyrë të ngjashme. Mendohet se si droga ashtu edhe gomonia kanë ardhur nga Shqipëria. Puna e hetuesve të Drejtorisë Distrektuale Antimafje është përqendruar në zbulimin e lidhjes së mundshme mes dy ngarkesave. Hipoteza më e ndjekur është se droga ishte fshehur në një vend ku do të merrej më vonë nga organizatat vendase që merren me shitjen.
Gjetja e fundit e ngjashme në një pikë të afërt të bregdetit të Puglia-s është bërë nga forcat italiane të rendit më 16 shkurt. Edhe atëherë mendohej Shqipëria si pikë nisjeje për nga cilësia e drogës dhe vendi ku ishte gjetur gomonia.
Top Channel