
Juventusi fitoi 4-0 ndaj Romës dhe tashmë e sheh veten të shkëputur me 3 pikë ndaj Milanit kur kanë mbetur edhe 5 javë nga përfundimi i kampionatit italian. Entuziazmi në ambientet e klubit bardhezi është i lartë pasi torinezët shohin t’i afrohen më shumë titullit. Megjithatë trajneri Antonio Konte preferon të tregohet i kujdesshëm duke deklaruar se sezoni nuk është mbyllur ende.
‘Me fitoren ndaj Romës bëmë një hap më shumë drejt titullit-tha Konte pas përfundimit të ndeshjes-jemi të kënaqur për suksesin dhe mendoj se zhvilluam një lojë shumë të mirë. Por asgjë nuk është mbyllur pasi kemi edhe 5 ndeshje për t’u luajtur që janë si finale për ne. Tani të mendojmë për Cezenën, pasi është një sfidë shumë e rëndësishme për ne’
Më pas Konte refuzoi të bëjë krahasim me Milanin që barazoi në ndeshjen e tij me Bolonjën me rezultatin 1-1. Trajneri italian i Juventusit theksoi se nuk mendon per rivalët, por vetëm për skuadrën e tij. Sipas Kontes, fati i këtij sezoni për Juventusin varet vetëm nga futbollistët e tij.
Top Channel