Irani është detyruar të ndërpresë punën në disa rafineri dhe naftësjellës kryesorë në vend, për shkak të një virusi kompiuterik që ka sabotuar punën e kësaj industrie, u informua të hënën.
Virusi kompiuterik është në gjendje që të godasë sistemet e brendshme kompiuterike të kompanive të naftës, duke sjellë çrregullim dhe dëmtim në prodhim. Si masë parandaluese, në disa impiante është janë rikthyer në funksion sistemet manuale të punës.
Gjithashtu, sulmi besohet se është përgjegjës edhe për nxjerrjen jashtë pune të disa uebsajteve të rëndësishme iraniane, midis të cilëve edhe ai i Ministrisë së Naftës dhe kompanisë kryesore të hidrokarbureve në vend.
Një zëdhënës në Ministri konfirmoi se të dhëna të rëndësishme të rezervuara janë vjedhur si rrjedhojë e sulmit, por përjashtoi mundësinë që informacionet “top-secret” dhe ato më thelbësore të jenë prekur, pasi ato ruhen në një rrjet të veçantë, të pacënueshëm nga jashtë.
Për t’iu kundërpërgjigjur sulmit, Irani ka ngritur një komitet të luftës kompiuterike, i cili duhet të punojë për të rritur mbrojtjen.
Irani është vendosur edhe më parë në shënjestër të sulmeve madhore kompiuterike, përfshi një të tillë në vitin 2010, i cili tentoi të godiste dhe të vidhte informacion nga teknologjia bërthamore në vend.
Teherani ka fajësuar për këto sulme të sofistikuara Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelin, por nuk është në gjendje të identifikojë në mënyrë të provuar origjinën nga ka ardhur sulmi.
Top Channel