“Të gjithë e pamë se çfarë është në gjendje të bëjë Real Madrid. Jemi përballë një sprove të madhe. Secili nga ne duhet të japë 100% për të kaluar në finale.”
Sipas mediave gjermane, kështu është shprehur Jupp Heynckess, trajneri i Bayern Munchen, para futbollistëve të tij.
Ndërsa për publikun theksoi: “Jam optimist për sfidën ndaj Real Madrid. Lojtarët janë optimistë gjithashtu. Pas fitores ndaj Werder Bremen mund ta përballojmë ndeshjen e kthimit në Spanjë me besim tek vetja. Nuk është e lehtë të luash çdo tri ditë dhe për këtë arsye bëra rotacion në ekip për ndeshjen e fundjavës. Ne jemi të çlodhur, ndërsa madrilenët jo.”
Tekniku gjerman i cili ka drejtuar edhe Realin e Madridit kur ekipi spanjoll fitoi Ligën e Kampioneve në vitin 1998, duket se nuk ka më probleme mes lojtarëve të tij.
Frank Ribery, i gjobitur me 50 mijë euro për sherrin me Robben në ndeshjen e parë gjysmëfinale ndaj madrilenëve, pas golit të fitores në fundjavë shkoi në pankinë për të përshëndetur hollandezin duke mbyllur përfundimisht polemikën mes tyre që kishte nisur për ekzekutimin e një goditjeje dënimi pikërisht në takimin e fituar 2-1 ndaj Real Madrid.
Real Madrid-Bayern Munchen do të luhet ditën e mërkurë, në orën 20.45.
Top Channel