Pas medaljes së artë të titullit “Kampion i Europës”, Erkand Qerimaj mund të krenohet që sot edhe me një medalje tjetër, urdhërin “Mjeshtër i Madh” që iu akordua nga Presidenti i Republikës Bamir Topi.
Në një ceremoni të posaçme në Presidencë, kreu i shtetit, sportdashës i deklaruar, nuk vonoi dhe vetëm pak ditë pas Kampionatit Europian të Peshëngritjes, i dorëzoi peshëngritësit Qerimaj këtë urdhër në prani të personaliteteve të shquara të fushës së sportit, artit e shkencës, trajnerë, peshëngritës, miq dhe familjarë.
Në motivacion vihej në pah “kontributi i shquar i Erkand Qerimajt në sportin e peshëngritjes, si fitues i dhjetëra medaljeve ndërkombëtare dhe shpalljes kampion i Europës për vitin 2012, duke lartësuar krenarinë kombëtare tek shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit”.
Duke shprehur mirënjohje për urdhërin e dhënë, Erkand Qerimaj theksoi se ndihej i vlerësuar në sakrificat që kishte bërë. Kampioni i Europës tha se do të çojë flamurin shqiptar sa më lart, përsëri.
Peshëngritja ka qenë një nga sportet më të suksesshme në Shqipëri, por shumë peshëngritës, përballë mungesës së kushteve dhe vlerësimit nga shteti shqiptar, janë larguar për t’u zhvilluar kryesisht në vendet fqinje.
Top Channel