Egjipt-Izrael, konflikt për gazin natyror

23/04/2012 16:00

Kompania shtetërore e hidrokarbureve dhe gazit në Egjipt ka anulluar një marrëveshje me Izraelin, në bazë të së cilës 40% i rezervave totale të gazit egjiptian shitej me një çmim më të ulët se ai i tregut në vendin fqinj.

Lajmërimi për anullimin u bë të hënën, duke krijuar menjëherë një konflikt diplomatik midis të dy shteteve.

Kompania Egjiptiane e Gazit Natyror (EGAS), pretendon se nuk është paguar në kohë nga firma izraelite-egjiptiane, që realizon ndërlidhjen me rrjetin izraelit të gazit.

Megjithatë, Tel Avivi protestoi, duke përgënjeshtruar këtë pretendim dhe duke kujtuar Kajron se është duke shkelur një prej pikave ekonomike të paqes së vitit 1979, që i dha fund një serie përballjesh ushtarake midis shteteve.

Nuk ka ende asnjë koment nga udhëheqësit ushtarakë egjiptianë, që janë në drejtim të qeverisë së përkohshme.

Marrëveshja është prej kohësh tejet jopopullore në Egjipt, por mbështetej nga ish-presidenti Hosni Mubarak, i cili u detyrua të jepte dorëheqjen pas 32 vitesh në pushtet, pas protestave masive, në shkurt 2011.

Sipas marrëveshjes në fjalë, Izraeli kishte të drejtë të blinte gazin egjiptian për katër dollarë për metër kub, ndërsa në marrëveshjet e lidhura me Turqinë, Greqinë apo Italinë, Egjipti e shet gazin e tij me 7-10 dollarë, përkatësisht.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA