Qeveria Afgane i mohoi hyrjen në vend një senatori të njohur për kritikat e shumta ndaj Kabulit zyrtar, një lëvizje që pritet të përkeqësojë edhe më shumë marrëdhëniet tashmë problematike midis Afganistanit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Burime zyrtare lajmëruan të hënën se Dana Rohrabacherit iu refuzua një vizë dhe u pengua që të merrte një avion për në Kabul nga Dubai.
Më parë, kongresmeni ka shprehur se korrupsioni i përhapur në vendin aziatik është ai që kërcënon sigurinë e vendit më shumë se edhe vetë forcat talebane.
Sipas analistëve, ky është episodi i rradhës që dëmton marrëdhëniet mes shteteve, në një nivel të ulët historik, pas një serie skandalesh të ushtarëve amerikanë, që përfshijnë përdhosjen e Kuranit, e trupave të luftëtarëve talebanë dhe një sulm të pajustifikuar të një ushtari, që ekzekutoi disa civilë i shtyrë nga një tërbim momental.
Rohrabacheri ishte pjesë e një delegacioni, anëtarët e të cilit u pajisën pa problem me viza afgane.
Sipas informacioneve të pakonfirmuara, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ishte lajmëruar më parë që të paralajmëronte kongresmenin se ai nuk ishte i mirëpritur në Afganistan.
Top Channel