
“Dua të përgëzoj Realin e Madridit për fitoren e ndeshjes dhe fitoren e kampionatit. Mendoj se bëmë një ndeshje të mirë dhe krijuam raste, por kemi luajtur shumë ndeshje që nga muaji gusht dhe duke marrë parasysh kundërshtarin që kishim përballë këto humbje mund të ndodhin.”
Këto janë fjalët e Pep Guardiolës pas ndeshjes që Barcelona e tij humbi ndaj Realit të Madridit. Tashmë katalanasit renditen 7 pikë pas rivalëve kur duhen vetëm katër ndeshje nga përfundimi i kampionatit.
“Mbase gabova me formacionin, mbase duhej të kisha aktivizuar Cesc Fabregas… Kam humbur ndeshjen dhe çfarëdo që të them nuk do kem të drejtë, por them që Tello bëri një ndeshje fantastike në sulm dhe në mbrojtje”, shtoi tekniku i katalanasve.
Në lidhje me ndeshjen e Ligës së Kampioneve ndaj Chelsea, Guardiola u shpreh i bindur se humbja e Klasikes nuk do të ndikojë tek lojtarët e tij: “Besoj se do të ringrihen sepse kemi ende forca. Këta lojtarë kanë qenë edhe më parë në situata të tilla dhe kanë ditur t’i kalojnë.”
Top Channel