
Trofeu i Europianit të futbollit që do të dorëzohet këtë verë, zbarkoi
në qytetin e Varshavës, për t’i dhënë mundësinë polakëve për herë të
parë të kenë kupën unike në vendin e tyre.
Trofeu i dizenjuar nga “Henri Deloni” është marrë së pari nga kryebashkiakja Hana Gronkevic, para se të vendosej për publikun e gjerë, në një moment kur temperatura për turneun e futbollit, në Poloni po rritet gjithnjë e më shumë.
Trofeu i Euro 2012, do të jetë pjesë e një turi në disa qytete që ka programuar UEFA, para se të kalojë në vendin tjetër organizator, Ukrainën. “Shpresoj se nga ky moment, atmosfera në qytetin tonë do të jetë fantastike dhe ne jemi të lumtur që do të kemi trofeun për disa ditë në varshavë” tha Gronkevic.
Në ceremoni ishte i pranishëm edhe ish-futbollisti i kombëtares franceze Kristian Karembë. “Jam i lumtur që po bëhem pjesë e këtij turi, pasi edhe për mua, ky trofe nënkupton shumë dhe është një nga më të mirët që unë kam fituar” tha ish futbollisti transalpin.
Europiani 2012 në futboll, do të marrë jetë në 8 Qershor kur Polonia do të luajë ndeshjen hapëse ndaj Greqisë, në stadiumin e Varshavës.
Top Channel