OKB, dritë jeshile rezolutës për Sirinë

21/04/2012 00:00

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara votoi unanimisht për shtimin e misionit monitorues në Siri me 300 vëzhgues.

Misioni UNSMIS do të zgjasë fillimisht 90 ditë dhe do të vëzhgojë respektimin e armëpushimit në zonat e banuara. Në dokumentin e miratuar, 15 vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit bëjnë thirrje për respektimin e plotë të planit të paqes së ndërmjetësuar nga Kofi Annan.

Ndërkohë, grupi i vogël i vëzhguesve të OKB-së në terren vizituan qytetin e Homsit, ku për herë të parë, pas javësh të tëra luftime, nuk u dëgjuan të shtëna artilerie e armësh të tjera luftarake.

Vëzhguesit e Organizatës së Kombeve të Bashkuara vizituan qytetin e
Homsit, ku për herë të parë, pas javësh të tëra luftime, nuk u dëgjuan
të shtëna artilerie.

Një zëdhënës i misionit të OKB-së, tha për mediat ndërkombëtare se vëzhguesit zhvilluan disa takime me udhëheqësit vendas dhe vizituan disa lagje të qytetit.

Aktivistë të të drejtave të njeriut dhe krahu i armatosur i opozitës siriane deklaruan se luftimet u ndërprenë nga ushtria qeveritare sapo nisi vizita e vëzhguesve ndërkombëtare. “Kjo është hera e parë pas shumë javësh luftime, që qyteti bie në qetësi”, thonë aktivistët për BBC.

Ata shprehen skeptikë mbi mundësinë e vendosjes së paqes së përhershme në Homs dhe shtojnë se sapo misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të përfundojë, ushtria do të rinisë bombardimet.

Rebelët thonë se tanket dhe artileria e rëndë e ushtrisë së Bashar al-Assad janë “fshehur” përkohësisht në mënyrë që vëzhguesve t’u krijohet përshtypja e respektimit të armëpushimit nga ana e Damaskut zyrtar sipas planit 6-pikësh të ndërmjetësuar nga ish-sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Koffi Annan.

Top Channel