Një operacion i gjerë anti-drogë është zhvilluar të shtunën në Greqi, ku janë sekuestruar 545 kilogramë lëndë narkotike.
Mediat lokale njoftojnë se aksioni u krye në aksin që lidh Athinën me Korinthin, ku u bllokua një kamion që po transportonte drogën.
Burime policore kanë deklaruar se lënda narkotike ishte fshehur në dyshemenë e një kamioni me targa bullgare dhe u zbulua pas nuhatjes së qenve anti-drogë.
Burimet shtojnë se nga hetimet paraprake ka rezultuar se lënda narkotike kishte si destinacion Holandën dhe në treg do të kapte vlerën 1.5 milion euro.
Kjo është një tjetër sasi e madhe droge që sekuestrohet në shtetin helen, pas asaj të datës 9 prill, kur të paktën 885 kilogramë kanabis sativa u sekuestruan prej policisë greke në zonën e Epirit, gjatë një super operacioni.
Policia greke njoftoi se ishin arrestuar katër shtetas shqiptarë, kater shtetas grekë, dy prej të cilëve femra dhe një shtetas bullgar. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dhe dy vetura, një sasi parash dhe një kamion.
Policia greke bëri të ditur se kishte mundur të sekuestronte lëndën narkotike në tre ngarkesa të ndryshme. Ngarkesa e parë u sekuestrua në Filat, vetëm pak kilometra larg kufirit shqiptaro-grek.
Droga ishte ngarkuar në një kamion-frigorifer, gati për t’u dërguar në Athinë. Sasia tjetër prej 160 kilogramë u ndalua në afërsi të Agrinjos, në një automjet me traga greke, drejtues i të cilës ishte një shtetas shqiptar dhe 180 kilogramë të tjera u sekuestruan në afërsi të Amfiloqisë, në një automjet me targa bullgare.
Top Channel