Një video, ku duken qartë policë grekë duke rrahur barbarisht një emigrant, ka shkaktuar indinjatë në komunitetin e të huajve që jetojnë në Greqi.

Sipas shoqatave të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, të cilat dhe publikuan videon, një emigrant, ndoshta algjerian, është ndaluar prej policisë dhe në vazhdim është rrahur barbarisht prej tyre.

Viktima dyshohej se kishte vjedhur një makinë aty pranë. Ngjarja ka ndodhur në qendër të kryeqytetit grek, Athinë dhe ka shkaktuar reagime të ashpra në komunitetin e emigrantëve që jetojnë në Greqi.

Në pamje duket qartë se emigranti nuk u ka bërë rezistencë autoriteteve. Ai është lidhur dhe fillimisht është sulmuar prej një banori të zonës dhe në vazhdim është goditur prej dy policëve me uniformë, të cilët e kanë goditur me grushta, e kanë shtrirë në tokë dhe kanë vazhduar ta shkelmojnë.

Në sulmin ndaj emigrantit, kanë marrë pjesë dhe dy agjentë të veshur civilë, ndërsa me mbërritjen e makinës së policisë, agjentët kanë vazhduar goditjet deri sa policë të tjerë e kanë larguar nën shkelmat dhe goditjet e kolegëve të tyre, për ta dërguar në rajonin e policisë “Omonia”, ku dhe ka vazhduar seanca e dhunës ndaj tij.

Emri i viktimës dhe fati i tij i mëtejshëm, ende nuk dihen. Dhuna në rajonet greke të policisë është një akt i shpeshtë. Shoqatat e mbrojtjes së emigrantëve i cilësojnë rajonet greke si qendra dhune ekstreme ndaj të ndaluarve.Vetëm pak ditë më parë, një rast po kaq flagrant dhune ndaj emigrantëve u publikua në një gazetë greke.

Viktima ishte një shtetas shqiptar, i cili u ndalua rastësisht gjatë një aksioni të policisë greke dhe u dhunua për ditë të tëra në mënyrë çnjerëzore prej policëve grekë.

Ngjarja kishte ndodhur në vitin 2005, por ishte mbajtur sekret prej policisë greke. Të kontaktuar me telefon prej Top Channel, drejtues të policisë helene, thanë se aktet e dhunës prej policisë që janë publikuar kohët e fundit, kanë detyruar shërbimin e brendshëm të policisë greke të fillojë hetimet lidhur me rastet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA