Papritur në Gjykatën e Milanos u paraqit sot në mëngjes ish-kryeministri Silvio Berlusconi në një prej seancave të gjyqit kundër tij, me akuzën e abuzimit të postit dhe nxitjes së prostitucionit të të miturave, ose siç njihet ndryshe gjyqi Rubi.
Sot ish-kryeministri me sa duket ishte kurioz të dëgjonte dëshmitë e kuadrove të policisë së Milanos, të cilëve u ka telefonuar disa herë gjatë natës së 27 majit të vitit 2010.
Ai u ka kërkuar çlirimin e 17 vjeçares marokene Ruby, me justifikimin se ajo është mbesa e ish-presidentit egjiptian Mubarak. Gjë që kuadrot dhe agjentët e policisë në shërbim atë natë deklaruan se nuk e patën besuar.
Ish-kryeministri deklaroi se është skandal se si shpenzohen fondet shtetërore për gjyqe të tilla të kota. Ai shtoi se ndihmon këto vajza, sepse procesi gjyqësor dhe hetuesit u kanë shkatërruar jetën.
Përpara dy ditësh në një seancë dëshmuan disa nga modelet që patën marrë pjesë në festat pikante të Berlusconit. Detajet e këtyre dëshmive, për striptizmin e vajzave të veshura si murgesha apo për kërcimet orientale gjysmë të zhveshura, tërhoqën vëmendjen jo vetëm brenda por edhe jashtë Italisë.
Top Channel