Aleanca Kuq e Zi, tubim në Vlorë

21/04/2012 12:25

Aleanca Kuq e Zi ka mbajtur paraditen e së shtunës një tubim masiv në qytetin e Vlorës, ku janë mbledhur rreth 11.500 pjesëmarrës.

Tubimi i Aleancës nuk ka vonuar të marrë karakteristikat e një protestë anti-qeveritare, pas akuzave të ngritura nga kryetari i saj, Kreshnik Spahiu jo vetëm ndaj pozitës, por edhe opozitës.

Gjatë fjalës së tij, Spahiu ka premtuar se AKZ do të sjellë një politikë të re, që do të bashkojë shqiptarët dhe që do ta kthejë Vlorën në një destinacion të ri.

“Vlora do të jetë një destinacion i ri në Mesdhe. Vlora është bastion i patriotizmit kuqezi, janë PD dhe PS që e ndanë Shqipërinë. Qeveria po punon me fjalë dhe me vepra kundër bashkimit, por pas 100 vitesh ne do të risjellim në pushtet një qeverisje kuqezi”, ka thënë Spahiu.

Rreth një javë më parë Aleanca Kuqezi u mblodh në Peshkopi për zgjerimin e degëve të saj, ku disa qindra qytetarë u antarësuan në strukturat e kësaj partie.

Kryetari Kreshnik Spahiu, në fjalimin e tij, e konsideroi krahinën si “të lënë qëllimisht në mëshirë të fatit”.

Ndërsa më herët gjatë muajit, grupimi reagoi ndaj një deklarate të bërë nga kryeministri Berisha për lidhjen mes shqiptarëve dhe turqve, duke e akuzuar atë se po keqpërdor identitetin kombëtar.

Gjithashtu, Aleanca Kuq e Zi ka premtuar zgjidhjen e çështjes së pronës, që sipas saj është zvarritur qëllimisht nga pushtetet që kanë qeverisur vendin në 20 vitete e fundit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA