Francë, dita e fundit e fushatës zgjedhore

20/04/2012 08:45

Kandidatët në zgjedhjet presidenciale franceze nisën ditën e tyre të fundit të fushatës, përpara raundit të parë të votimeve, që do të mbahet të dielën.

Në bazë të ligjit francez, fushata nuk mund të vazhdojë në 24 orët e fundit përpara se më shumë se 40 milionë shtetas me të drejtë vote të zgjedhin kryetarin e tyre të shtetit për pesë vitet e ardhshme.

Dy favoritët për të mbërritur në balotazhin e drejtëpërdrejtë të raundit të dytë, nga i cili do të përzgjidhet presidenti, kanë zgjedhur dy mitingje të mëdha për të përmbyllur fushatën e tyre.

Presidenti Nicolas Sarkozy do t’i drejtohet mbështetësve të tij nëpërmjet një manifestimi madhor nga qyteti jugor i Nisës, ndërsa socialisti Hollande, nga kryeqendra e jugperëndimit, Bordoja.

Sipas sondazheve të fundit, Sarkozy pritet të fitojë në raundin e parë, por Hollande është disa pikë përpara në raundin e dytë përcaktues.

Të dy kandidatët, kanë vendosur theksin tek ekonomia dhe një politikë më agresive kundër emigrantëve. Megjithatë, platformat e tyre kanë kundërshti të thella, me Hollande që vendos në dyshim respektimin e traktatit të euros, të mbështetur fuqimisht nga Franca si “zgjidhjen e vetme” për të dalë nga kriza.

Nga ana e tij, presidenti Sarkozy ka vendosur theksin tek vazhdimi i partneritetit franko-gjeman në udhëheqjen e Eurozonës larg kësaj krize, ndërsa drejtuesit e fushatës së tij theksojnë se nuk është gjëja më e mirë për vendin që të ndryshojë mënyrën e qeverijes ndërsa është duke u përballur me vështirësi të shumta ekonomike.

Këtij pretendimi, mbështetësit e Hollande i janë përgjigjur me akuza, sipas të cilëve francezët nuk kanë nevojë të votojnë pro atij njeriu që është vetë përgjegjës për këto vështirësi.

Sipas sondazheve, në këto zgjedhje, do të vihet re dukshëm forcimi i të dy ekstremeve, i atij të djathtë dhe të majtë. Ultranacionalistët e Marine le Pen, “Fronti Kombëtar” i krahut të djathtë, pritet të grumbullojnë 17% të preferencave, ndërsa liderja e tyre pritet të renditet menjëherë pas dy kandidatëve kryesorë. Ndërkohë, kryetari i komunistëve, Jean-Luc Melenchon duhet të jetë i katërti në zgjedhje, me 14-15% të votave, përpara kandidatit të qendrës, Francois Bayrou.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA