Ukrainë, Tymoshenko refuzon paraqitjen në gjykatë

19/04/2012 17:35

Ish-kryeministrja e burgosur e Ukrainës, Yulia Tymoshenko, refuzoi që të paraqitet në një gjyq të ri për evazion fiskal, duke u justifikuar me arsye shëndetësore.

Tymoshenko, e cila vuan prej muajsh nga probleme në shpinë, i kërkoi gjykatës që të mbante seancën paraprake gjatë së enjtes në mungesë së saj.

Një vendim i mëparshëm e ka dënuar atë me shtatë vite burgim, pasi një Gjykatë në Kiev e shpalli fajtore për abuzim me pushtetin, gjatë firmosjes së një kontrate gazi në vitin 1990.

Burgimi i saj ka shkaktuar reagime të ashpra në vendet perëndimore, që e kanë konsideruar procesin si të motivuar politikisht. 50-vjeçarja ka mohuar të gjitha krimet për të cilat është fajësuar.

Gjykimi i ri po realizohet në qytetin lindor të Kharkivit, pranë të cilit ndodhet edhe burgu në të cilin Tymoshenko mbahet e mbyllur.

Në një deklaratë të publikuar në internet në faqen e burgut, Tymoshenko informonte: “Duke përdorur të drejtën që më jep Kodi Penal Ukrainas, i kërkoj gjykatës që seancat paraprake të mbahen në mungesë time, për shkak të problemeve shëndetësore nga të cilat vuaj”.

Megjithatë, vetë avokati mbrojtës, Serhiy Vlasenko, i shtoi mister çështjes, duke thënë se nuk beson se gjendja e Tymoshenkos është aq e rëndë sa që të mos jetë në gjendje të paraqitet në gjyq.

Rreth një mijë persona, mbështetës të ish-kryeministres u mblodhën përpara gjykatës për të protestuar për lirimin e saj, ndërsa 300 policë u vendosën në hyrje të gjykatës, në nisjen e seancës, nën masa të shumta sigurie.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA