Zhvillimi i ankandit për bondet spanjolle ka lehtësuar tregjet ndërkombëtare, pasi në të kërkesa ka qenë e lartë, edhe pse kostoja për marrjen e disa huave u ngrit.
Bondet 10-vjeçare u shitën në kuotën 5.743%, shumë më lartë nga kuota prej 5.403 për qind që ishin shitur në muajin shkurt. Por kuota për bondet 2-vjeçare ra në 3.463 për qind nga 3.495 për qind që ishte në tetor.
Spanja shiti të gjitha bondet me vlerë 2.5 miliardë euro, me një kërkesë që ishte më e lartë nga sa parashikohej. Kërkesa për bondet 10-vjeçare ishte pothuajse dyfishi i shumës së shitur.
“Në tërësi, është një rezultat që në një farë mënyre do të lehtësojë frikën se kërkesa e brendshme për bondet spanjolle kishte rënë”, ka deklaruar Richard McGuire, ekonomist në Rabobank.
Ka pasur shqetësime të shumta për ecurinë e ankandit të bondeve pasi normat e interesit mbi bondet 10-vjeçare ishin ngritur mbi 6 për qind ditën e hënë. Kostot e huamarrjes mbi 6 për qind konsiderohen nga shumë analistë si të papërballueshme në afate të gjata.
Spanja mbajti nëj ankand për bondet afatshkurtëra ditën e martë, ku kuota për bondet 12-muajshe u ngrit në 2.6 për qind nga 1.4 për qind që ishte në ankandin e fundit të mbajtur në mars. Ndërsa bondet 18-muajshe u rritën nga 1.7 për qind në 3.1 për qind.
Top Channel