Skandali i përdhunimit që po trondit Afrikën e Jugut

19/04/2012 16:40

Tetë të rinj dolën para drejtësisë në Afrikën e Jugut për t’u gjykuar në atë që mediat vendase e quajnë si “çështja me ndjeshmërinë më të madhe në vend” në vitet e fundit.

Vendi është shokuar pas bërjes publike në internet e më pas edhe në televizion, të një videoje ku tregohen 8 persona teksa përdhunojnë një 17-vjeçare, që sipas autoriteteve afrikano-jugore mund të rezultojë me të meta mendore.

Nisja e gjykimit ka grumbulluar qindra persona para godinës së gjykatës të cilët kërkuan dënimin maksimal për autorët. Procesi gjyqësor u zhvillua pa praninë e mediave, pasi disa prej të akuzuarve janë minorenë. Seanca e radhës do të mbahet më 25 prill, pas përfundimit të ekspertizës mjeko-ligjore për aftësinë mendore të viktimës 17-vjeçare.

Rasti në fjalë ka tronditur vendin. Politikanë, gazetarë, shoqata të ndryshme dhe qytetarë, kanë kërkuar një dënim shembullor të autorëve të ngjarjes, edhe pse ata janë minorenë.

Top Channel