Siri, mbi 200 viktima që nga “armëpushimi”

19/04/2012 20:10

Shoqata humanitare dhe burimet opozitare flasin për 217 viktima në Siri, që nga dita e vendosjes së të ashtuquajturit “armëpushim”.

Askush s’mund të flasë për një numër të saktë të viktimave, por ajo që është e sigurtë është se luftimet nuk kanë pushuar.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së deklaron se Siria ka dështuar në implementimin e detyrimeve të saj që dalin nga plani i paqes, që parashikon tërheqjen e trupave dhe armatimeve nga zonat urbane.

Në një letër drejtuar Këshillit të Sigurimit, Ban Ki Moon ka bërë thirrje që misioni i vëzhguesve të zgjerohet deri në 300 anëtarë.

Një grup prej gjashtë vëzhguesish ndodhen në Siri në kuadër të planit, të negociuar nga i dërguari i Kombeve të Bashkuara dhe Ligës Arabe, Kofi Annan.

Nga Siria ka raportime  të vazhdueshme për akte dhune dhe shkelje të armëpushimit. Më herët Damasku zyrtar deklaroi se do të pranonte vetëm 250 monitorues.

Ban Ki Moon deklaroi gjithashtu se armëpushimi mbi të cilin ranë dakord të dyja palët pas rezolutës së KS ishte i paplotë, të dyja palët u shprehën të gatshme për t’i dhënë fund dhunës.

Ai tha se niveli i dhunës ka rënë ndjeshëm që prej 12 prillit, dita kur armëpushimi hyri në fuqi, por shtoi se incidente të dhunshme me viktima janë përshkallëzuar sërish në ditët e fundit.

Sekretari i përgjithshëm theksoi se vëzhguesit janë ndaluar të shkojnë në qytetin e Homsit, ku dhe janë regjistruar pjesa më e madhe e akteve të dhunës në muajt e fundit.

Ndërsa qeveria siriane, nga ana e saj, deklaroi se vizita e vëzhguesve në qytet u ndalua për arsye sigurie, ndërkohë që në Dara ata ishin të lirë për të lëvizur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA