
Raul Gonzalez Blanco nuk do të vazhdojë aventurën e tij me Schalke 04 sezonin e ardhshëm. Lajmin e ka bërë të ditur ekipi gjerman në faqen zyrtare në internet.
Kontrata e Raul skadonte në muajin qershor dhe një nga arsyet që sulmuesi spanjoll ka vendosur të përfundojë aventurën në Bundesligë është se Schalke 04 i ofronte një kontratë të re me një ulje të ndjeshme të pagës.
Nuk dihet ende e ardhmja e ish-kapitenit të Real Madrid, por mediat spanjolle flasin për një aventurë të re në Katar.
Raul u bashkua me Schalke 04 në vitin 2010 dhe në këto dy sezone ka fituar Kupën e Gjermanisë, Superkupën e Gjermanisë dhe u kualifikua për në gjysmëfinalet e vjetshme të Ligës së Kampioneve.
34-vjeçari ka luajtur 96 takime zyrtare me Schalke 04 duke shënuar 39 gola dhe duke dhënë 20 pasime për gol.
Raul: E ardhmja ime, jo në Europë
“Nuk ishte një vendim aspak i lehtë për mua. Dua të falenderoj Schalke 04 për durimin që tregoi në këtë rast. E ardhmja ime nuk do të jetë në Europë, por në një kampionat më pak të fortë se sa Bundesliga. Në javët në vazhdim do të studiojmë ofertat. Këto dy vite që kam kaluar në Gjermani do i mbaj mend përjetë. Dua të falenderoj të gjithë stafin teknik, punonjësit e klubit dhe tifozët që më kanë mbështetur gjithmonë”, u shpreh Raul në konferencën e shtypit për mediat gjermane pas njoftimit zyrtar se sulmuesi spanjoll do të largohej nga Schalke 04 në fund të këtij sezoni.
Raul theksoi se familja e tij “ishte një nga arsyet kryesore” për marrjen e këtij vendimi, por jo e vetmja.
Schalke 04 tërheq numrin 7
Horst Heldt, menaxheri i Schalke 04, theksoi në konferencën e shtypit ku Raul njoftoi largimin nga klubi gjerman në fund të këtij sezoni se numri 7 që spanjolli mbajti gjatë dy sezoneve do të tërhiqet përgjithmonë.
“Do të organizojmë një ndeshje festive në vitin 2013 për të përshëndetur kapitenin tonë. Raul duhet të dijë se dyert e Schalke 04 do të jenë gjithmonë të hapura për të”, deklaroi Heldt.
Top Channel