Ndalohet anija misterioze

19/04/2012 16:05

Lajmi se Irani po furnizon me armë Sirinë, armë të ngarkuara në një anije në pronësi gjermane, alarmoi politikanët në shumë vende të botës. Bëhet fjalë për Atlantic Cruiser.

Të premten e kaluar anija ndodhej në brigjet e Sirisë, por u zhduk prej andej brenda 24 orësh. Revista Gjermane ‘Der Spiegel’ publikoi në fundjavë se anija ishte e ngarkuar me pajisje ushtarake dhe informoi për incidentin qeveritë e Qipros, Libanit dhe Turqisë. Anija vijoi gjithashtu kontaktet me kompaninë gjermane e cila i kërkoi Atlantic Cruiser të ndalojë në një port të tretë të Mesdheut.

BBC raportoi të mërkurën në mbrëmje se Atlantic Cruiser me flamur të Antiguas dhe Barbudas ka ankoruar në portin turk të Iskenderunit. Si Bashkimi Europian dhe Turqia i kanë vendosur Sirisë embargo armësh.

Kompania gjermane W Bockstiegel tha se anija ishte marrë me qera nga një firmë ukrainase me të cilën ka një marrëdhënie të gjatë biznesi. Pasi mori e-mailin nga grupi i quajtur “Forcat Detare të Revolucionit Sirian” kompania urdhëroi anijen të ndalonte udhëtimin drejt Sirisë.

Kargoja u ngarkua në Mumbai. Më pas, anija ndaloi në Xhibut ku shkarkoi një pjesë të ngarkesës dhe do të vazhdonte drejt Sirisë, Turqisë dhe Malit të Zi. Të mërkurën mediat malazeze folën për kontaktet mes autoriteteve të Malit të Zi dhe Shqipërisë për të mbajtur nën kontroll anijen.

Irani është akuzuar se ka furnizuar me armë aleatin e saj Sirinë, të cilat ushtria i përdor kundër protestuesve. Kombet e Bashkuara vlerësojnë se mbi 9000 persona u vranë në Siri, prej nisjes së protestave, marsin e vitit të kaluar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA