Itali, skandal me ushqimet

19/04/2012 00:00

Kanë përfunduar edhe në Shqipëri një pjesë e ushqimeve për pulat dhe plehrat e prodhuara nga disa fabrika në jug të Italisë, kryesisht “Idapro” e Tranit.

Pas një operacioni të gjatë dhe hetimesh të hollësishme, policia pyjore zbuloi shkelje të rënda që kanë sjellë fitime prej të paktën 3.3 milionë eurosh.

Skelete gjysmë të dekompozuara kafshësh të ngordhura dhe mbeturina të ndryshme organike. Janë këto disa nga përbërësit e gjetur gjatë kontrolleve në disa fabrika për prodhimin e ushqimeve për qentë dhe pulat.

Pa respektuar asnjë rregullore dhe duke shkelur proçedurat e kontrollit, këto lëndë futeshin sërish në ciklin ushqimor, në vend që të trajtoheshin si mbeturina.

Kanë përfunduar nën hetim 68 persona, ndër ta 13 veterinerë që kanë ndihmuar për çertifikatat e rreme. Hetimet filluan pas erës shumë të rëndë që dilte nga fabrika “Idapro” e Tranit, ku mbeturinat ktheheshin kryesisht në ushqim për pulat.

Kjo fabrikë, gjatë periudhës së hetuar ka prodhuar 3.200 ton ushqim për pulat, ushqime të shitura kryesisht në veri të Italisë, në Shqipëri dhe në Spanjë. Pikërisht një laborator spanjoll ka sinjalizuar cilësinë tepër të ulët të ushqimit, gjë e vërtetuar nga kontrolli i ciklit të prodhimit.

Specialistët bëjnë të ditur se teorikisht këto ushqime mund të jenë të dëmshme edhe për shëndetin e konsumatoreve, por për të vërtetuar këte duhen kryer studime më të thelluara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA