Dueli midis Tiranës dhe Skëndërbeut do të përsëritet në një finale, kësaj herë të vërtetë, në Kupën e Shqipërisë.
Pas “finales” së zhvilluar në kampionat, të dy skuadrat siguruan një përballje që vlen një trofe, duke çuar në fund kualifikimin e pritshëm pas ndeshjeve të para.
Tirana, e cila fitoi thellësisht 3-0 në Vlorë, zhvilloi një “miqësore” të shndërruar në një festival golash në kryeqytet, me Cikalleshin dhe Ferrajn qe kaluan dy here ne avantazh skuadrën, përpara se të barazoheshin nga golat e kroatëve Pejiç e Pezo.
Në ndeshjen tjetër, atë të zhvilluar në Krujë, Skëndërbeu i rezistoi presionit të vendasve dhe arriti të kualifikohej falë barazimit pa gola 0-0. Në ndeshjen e parë, kryesuesit e kampionatit kishin fituar 3-1 në shtëpi.
Fundjavën e shkuar, Skëndërbeu mposhti 2-0 Tiranën në një ndeshje kampionati të luajtur në Korçë. Sfida, e konsideruar si kyçe për shanset e të dy ekipeve në kampionat, distancoi kampionët në fuqi katër pikë përpara në renditje, kur mbeten edhe pesë javë nga fundi i kampionatit, duke bërë që titulli tashmë të konsiderohet një garë dyshe, midis Skëndërbeut dhe Teutës, e pozicionuar një pikë më pas.
Top Channel