Chelsea-Barcelona rishihen sërish bashkë në mbrëmjen e sotme (ora 20.45) kur do të zhvillohet gjysmëfinalja e dytë e Champions League.
Sipas trajnerit italian, Di Matteo, Bluve të Londrës i duhet të zhvillojë dy ndeshje perfekte për të eliminuar Barcelonën e për të shkuar në finale.
Mbrëmja e sotme në Stamford Bridge do të jetë një sfidë e madhe për trajnerin e ri të skuadrës britanike, i cili mori këtë pozicion menjëherë pas largimit të Villas Boas. Që nga periudha kur Di Matteo mori drejtimin e Chelsea ata kanë regjistruar 9 fitore, dy barazime dhe një humbje, ndërkohë që vijnë në mbërmjen e sotme pasi fituan 5-1 ndaj Tottenham ditën e dielë në gjysmëfinalen e FA Cup.
Gjithsesi përballja e fundit mes këtyre dy skuadrave ka qenë shumë polemizuese, ishte gjysmëfinalja e vitit 2009 kur Iniesta barazoi në kohën shtesë, duke barazuar gjithçka në 1-1, gol që i dha kualifikimin spanjollëve.
Një ndeshje shumë e vështirë që edhe vetë Guardiola e kujton duke theksuar se Chelsea është një skuadër që mbrohet mirë. Gjithsesi sipas trajnerit të katalanasve ka kaluar shumë kohë e kjo ndeshje nuk mund të konsiderohet revansh.
Barcelona dhe Chelsea kanë dalë në gjysmëfinale 6 herë në 9 sezonet e fundit, por londinezët vetëm një herë ka kaluar në finale, në vitin 2008 me Manchester United në Moskë.
Ky do të jetë një tjetër shans, por për ta bërë këtë, britanikët duhet të ndalin Lionel Mesin i cili ka shënuar 68 gola në 59 ndeshjet e këtij sezoni.
Top Channel