I biri i Gaddafi-t mund të gjykohet në Libi

17/04/2012 00:00

Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte mund të tërheqë kërkesën që Saif
al Islam Gaddafi të transferohet në Hagë për proçesin gjyqësor.

Lajmin e bën të ditur BBC, sipas të cilës gjykata ka deklaruar se i biri i ish-liderit të Libisë Muammar Gaddafi mund të gjykohet në Libi nën mbikëqyrjen e Hagës.

Përplasjet se ku duhet të gjykohet Saif zgjasin prej kohësh, që nga arrestimi i tij në nëntor të vitit të kaluar. Haga e ka akuzuar atë për krime kundër njerëzimit.

Tani, ministri libian i Drejtësisë thotë se një marrëveshje po finalizohet mbi vendin ku do gjykohet Gaddafi i ri, me asistencën dhe mbikëqyrjen ligjore të gjykatës ndërkombëtare.

Korrespondenti i BBC në Tripoli, Jon Donnison, ka mësuar nga një zyrtar perëndimor në dijeni të çështjes se marrëveshja do të arrihet së shpejti.

Por zyrtari paralajmëroj se mund të duhen muaj të tërë para se gjyqi të fillojë. Kryeprokurori i Hagës, Luis Moreno Ocampo pritet të vizitojë Libinë këtë Javë.

Grupet e të drejtave të njeriut kanë argumentuar ndërkohë se sistemi libian i drejtësisë nuk është në gjendje të përballet me një çështje të një profili kaq të lartë.

Saif al Islam, 39 vjeç, aktualisht po mbahet nga milicia në rajonin libian të Zintanit. Ai shihej si trashëgimtar i regjimit të të atit, kolonelit Muammar Gaddafi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA