Del Piero dhe Juventus do të ndahen në përfundim të sezonit aktual, por jo me dëshirën e kapitenit të bardhezinjve: “Ëndërroja ta mbyllja karrierën me këtë fanellë, por tashmë gjërat kanë ndryshuar.”
Kështu është shprehur numri 10 i Zonjës së Vjetër për revistën ‘Vanity Fair’.
“Ky ka qenë viti më i vështirë në karrierë sepse provova çfarë ishte të luaje fare pak për të mos thënë aspak. U befasova kur presidenti Agnelli tha se ky do të ishte viti i fundit për mua me Juven, por nuk dua polemika. Juventusi po lufton për titullin kampion dhe për Kupën e Italisë dhe nuk e ndihmojnë zënkat”, theksoi Del Piero, i cili ka luajtur 700 ndeshje me klubin e Torinos.
Tani Alex duhet të mendojë për të ardhmen: “Nga 30 qershori jam futbollist i lirë. Nuk e di si do të jetë e ardhmja, është një ndryshim i madh pas 20 vitesh me Juventusin. Më duket sikur po largohem nga shtëpia për herë të dytë.”
Top Channel