Bumçi takon rekordmenët: Ndihma jonë e paktë

17/04/2012 00:00

Ndalesa dhe përgëzimi i radhës për ekipin tonë përfaqësues të
peshëngritjes ka qenë në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinise dhe
Sporteve.

Ministri Aldo Bumçi, pas një takimi pa praninë e mediave, ku ka diskutuar me peshëngritësit e kombëtares dhe drejtuesit e kësaj Federate, ka dalë në një konferencë për shtyp dhe këtë herë duke pranuar me shumë sinqeritet që ndihma e institucionit të tij ka qenë e pamjaftueshme, krahasuar me rezultatet e Erkandit, Romelës apo peshngritësve të tjerë.

“Ne si Ministri jemi përpjekur që t’i mbështesim. Çfarë na japin këta sportistë, ky ekip, ajo çfarë japim ne mbrapsht mendoj që është pak, por ne jemi munduar në mënyrë të veçantë për t’i mbështetur. Kemi një dhënë një fond të veçantë vjet, kemi rritur grantin për Fedetarën e Peshëngritjes, por a është kjo e mjaftueshme? Jo, mund të them që më shumë duhet të bëjmë”, tha Bumçi.

Ashtu siç e tha vetë ministri, këta peshngritës janë kthyer në imazh dhe shembull për të rinjtë, e padiskutim, pas kaq shumë fjalëve e premtimeve, që i janë bërë këto ditë nga përfaqësues të pushtetit lokal e qëndror, pritet mbështetja reale. Përtej fjalëve, Olimpiada po afron.

Vlerësohen kampionët e peshëngritjes

Kampioni i Europës në peshëngritje, Erkand Qerimaj është nderuar me një çmim prestigjoz nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, “për kontributin e dhënë në elitën e sportit europian dhe për tejçimin e ndjenjës së patriotizmit”.

Ashtu siç ndodhi edhe në pritjen në Aeroportin e Rinasit, në ceremoni munguan sërish personalitete të larta të qeverisë, duke u mjaftuar me një zëvendësministre.

“Ky është nderi më i madh që mund të më bëhet dhe vlerësimi më i madh. Të të vlerësojnë akademikët e shkencave është diçka e madhe. Unë ju premtoj që do shumë më tepër sepse me këtë rezultat do të kem më shumë stimul për t’u stërvitur me tepër”, falenderoi në fjalën e tij Erkand Qerimaj, Kampion i Europës në Peshëngritje.

Ndërkohë në të njëjtën ditë është nderuar e përgëzuar edhe nënkampionia e Peshëngritjes, Romela Begaj, nga kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, i cili ka inguaruar edhe rikonstruksionin e menjëhershëm që i është bërë palestrës së peshëngritjes pranë ambienteve të stadiumit “Qemal Stafa”.
 

Top Channel