Shqiptarët duket se ende kanë frikë t’i ruajnë të ardhurat e tyre minimale në bankë. Ata ende nuk i konsiderojnë bankat mjaftueshmërisht të besueshme.
Kjo dëshmohet qartë nga intervistat e qytetarëve në rrugë, të cilët shprehen në shumicë se paratë e tyre i mbajnë ende në shtëpi.
Por, si shpjegohet ky fenomen nga specialistët? Anëtari i Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, Ardian Civici, argumentoi: “Ende dhe sot shqiptarët vazhdojnë t’i mbajnë paratë në shtëpi, në një vend pranë vetes, ku të mund t’i shohin një herë në ditë apo një herë në javë dhe kështu ndjehen të sigurtë“.
Studime të ndryshme nga Banka e Shqipërisë tregojnë se ende tek shqiptarët ka një prirje për t’i mbajtur paratë në shtëpi. Pavarësisht faktit se të gjitha depozitat deri në 2.5 milionë, do të kthehen në shumën 100% tek klienti në rast falimentimi, shqiptarët ende e kanë të vështirë të besojnë. Por, me çfarë lidhet pasiguria e tyre për të depozituar kursimet në banka?
“Vjen nga një traditë e hershme, ku janë të mësuar me mbajtjen e parave në shtëpi, kjo për arsye se të ardhurat e tyre kanë qenë të pakta dhe së dyti, ende nuk janë mësuar me kulturën e mbajtjes së parave në bankë. Në rast se i kanë aty, ndihen më të sigurtë, por bankat dhe shërbimet që ato ofrojnë, janë një risi edhe për vetë shoqërinë shqiptare, pasi edhe në kohën e komunizmit, ndonëse bankat ekzistonin, kursimet ishin aq të pakta sa ishin shumë të rrallë ata që kishin diçka për të biseduar dhe edhe më të paktë ata që realisht i depozitonin“, shtoi Civici.
Qypi i floririt në dhe, e paratë nën jastëk duket se i bën shqiptarët jo vetëm pronarët e tyre por edhe rojtarët e kartmonedhave të tyre. Kjo traditë është ende në hapat e parë të ndryshimit dhe kalimit nga shtëpia tek banka, por duhet ende kohë dhe interesa të mira që t’i shtyjnë shqiptarët të depozitojnë paratë e tyre në banka.
Top Channel