“Shqip”, përplasja e radhës

16/04/2012 00:00

Votimi për nënkryetar i Këshillit të Lartë të drejtësisë ka krijuar një vorbull të re tensioni në politikën shqiptare.

Elis Çefa u zgjodh me minimumin e domosdoshëm prej 71 votash me votim elektronik, përballë rivalit të tij, Ardian Visha, ndërsa në sallë vazhdonte ende debati për mënyrën se si duhet të realizohej votimi.

Sipas liderit të opozitës, Edi Rama, i mënyra se si u zgjodh kandidatura e maxhorancës, ishte një “pengmarrje” e re e demokracisë në vend dhe një manipulim i ri i votës, ndonëse këtë radhë jo në kutitë e votimit popullor, por brenda në sallën e Kuvendit.

Në një deklaratë të ashpër menjëhetë pas atij votimi, Rama akuzoi kryeministrin Berisha se tashmë vjedh edhe vetë votat e ministrave të tij, ndërsa mazhoranca u përgjigj duke ironizuar këto deklarata dhe duke theksuar se votimi i fshehtë u realizua në përputhje me rregulloren e Kuvendit.

Për të debatuar rreth këtij tensioni të ri të krijuar në jetën politike shqiptare, në studion e “Shqip”, emisionit të përjavshëm të së hënës të drejtuar nga Rudina Xhunga, ishin të pranishëm analistët Henri Çili e Mustafa Nano, shoqëruar nga deputeti i Partisë Demokratike, Mark Marku dhe kryetar i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi.

“Votimi në Kuvend, nëse quhet votim, tregoi që baza e krizës në Shqipëri është vetë Kuvendi, ku numrat janë zgjedhur në mënyrë të dyshimtë dhe janë produkt i qeverisë korruptive. Në këtë formë kemi zgjedhur Presidentin, kemi shkarkuar Prokurorin e Përgjithshëm, kemi lënë Gjykatën Kushtetuese jashtë mandateve kushtetuese dhe gjithçka është bërë duke manipuluar votën e fshehtë”, argumentoi Gjinushi.

I pyetur se cili mban përgjegjësinë për këtë krizë, kryetari i PSD-së fajësoi qartësisht mazhorancën, në të njëjtën kohë që ngarkoi me përgjegjësi për sjelljen aktuale edhe opozitën. “Në mënyrë figurative, këtu kemi të bëjmë me një hajdut dhe një roje që e lejon të vjedhë. Ne jemi kundër atyre që përshëndesin me tolerancë si ajo e rojes, që thotë se s’do të përleshet me hajdutin sepse ai është një burrë i mirë. Opozita ka të drejtë dhe detyrë të mbrojë të drejtat e atyre që përfaqson. Unë mendoj se opozita s’mund të bëjë më gjasme sikur është në Parlament, ku s’ka fjalë dhe votë të barabartë e nuk mbron dot të drejtat e saj të qënësishme. Opozita po bëhet palë, duke thënë turpi i qeverisë, sepse po toleron shkeljen e të drejtave më elementare”, shtoi Gjinushi.

Një qëndrim diametralisht i kundër ishte ai i deputetit demokrat Marku, i cili theksoi se votimi për kryetarin e nënkryetarit të KLD-së u bë i gjithi në përputhje me rregulloren e Kuvendit. “Po i jepet një tonalitet që nuk ka ekzistuar në Parlament një çështjeje tërësisht të parëndësishme. Nuk ka vjedhje votash sepse nga 71 antarë, asnjëri prej nuk ka thënë që vota i është keqnumëruar, manipuluar apo që s’ka votuar për Çefën. Vjedhje votash do të kishim nëse kjo do të kishte ndodhur dhe pretendimi i Partisë Socialiste është një pafytyrësi, që s’ka asnjë fëmijë të moshës mbi dy vjeç që ta besojë. Neni 60 i rregullores thotë që votimi i fshehtë, bëhet ose me votë në kuti, ose votim elektronik dhe në këtë rast u zgjodh njëra prej tyre, pasi socialistët e kundërshtuan formën e parë, atë me kuti. Prandaj nuk ka shkelje në rregullore dhe nuk e kuptoj përse votimi në kuti është më i fshetë se elektronik. Njëkohësisht, nuk arrij të kuptoj as rëndësinë e pretendimeve të Partisë Socialiste, sepse secili prej nesh në Kuvend ka vullnet të lirë dhe mund të zgjedhë si të arsyetojë”, u shpreh deputeti i PD-së, Mark Marku.

Për Mustafano Nano, i cili hyri në polemikë me Markun, pretendimet e këtij të fundit janë të kushtëzuara nga forca politike që ai përfaqëson. “Marku nuk e beson atë që thotë”, theksoi Nano. ”Një njeri nga mazhoranca që ka kryetar Berishën, nëpër studio nuk mund të thotë se e shkelën pak procedurën. Megjithatë, nuk ka ngelur puna tek shkelja pak e procedurës dhe në një pikë jam dakord me Markun e kundërshtoj Gjinushin. Nuk pati vjedhje votash sepse të 71 ato vota ishin, por problem është që Marku e të gjithë duhet të jenë të ndershëm me vete, se në Kuvend ka një klimë frike dhe terrori, një klimë ku nuk lejon që vullneti i lirë të manifestohet hapur dhe 71 votat janë, por janë marrë me pahir, në sensin që ka qenë një votim që dikush e kontrollonte”.

Nga ana e tij, Henri Çili deshi të ndalej më gjatë në atë që ndodhi në Kuvend. “Përzgjedhja e Vishës ishte një kandidaturë finoke nga origjina, konteksti dhe mbështetja që ai kishte. Unë kam respekt për Vishën nga aspekti profesional, por dua të pyes: Si shpjegohet që Edi Rama, frymëzues i ndryshimeve kushtetuese, ky individ që ka menduar se vetë mazhoranca të mos ketë kështu sprovash, tashmë përdor të njëjtën metodë për të kundërshtuar atë që vetë propozoi dhe kur gjërat nuk i dalin siç do, bën metafora me kal, etc etc. E vërteta është që opozita, nëpërmjet kësaj kandidature, e vendosi maxhorancën në test dhe ajo shpëtoi për një fije. E gjithë kjo situatë ka sjellë një pasojë politike, LSI-në dhe pikëpyetjet për qëndrimin e saj të mëvonshëm”.

Analisti Mustafa Nano këmbënguli në qendrimin e tij se votimi i LSI-së në Kuvend për anëtarin e ri të KLD-së, ishte një votim që i dha dy mesazhe të fuqishme Partisë Demokratike dhe kryeministrit Berisha: Nuk e besoj Metën kur thotë për rrethanat e votimit. Ka qenë një vendim i menduar gjatë nga LSI, të paktën disa orë para votimit. Meta ka dashur të përcjellë një mesazh të qartë Berishës, besoj që e ka lëkundur Berishën, mazhoranca ishte mezi-mazhorancë, 50+1 dhe kjo mazhorancë provokon frikë që është produkt i lëvizjes së Ilir Metës. Ky është një mesazh edhe për zgjedhësit. I dha  1 vote mazhorancës dhe i tha që unë të shpëtova, prandaj mbaj vendin, por duke mos dhënë 3 vota i tha që të kam në dorë dhe pa mua nuk ke ku shkon. Nuk parashikohen lëvizjet e ardhshme të LSI-së dhe Ilir Metës. Cdo qelbësirë që është kundër regjimit sot, për mua duhet parë si resurs opozitar.

Ndërsa kreu i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi tha se roli i 4 deputetëve të saj është themelor. Ai nuk mendon se vendimi i LSI-së ishte i menduar: LSI e di se sa është roli i 4 deputetëve të saj, prandaj nëse do kishte një vendim të saj për të ndryshuar shumicën, atë e ndryshon pa vajtur në sallë. Votimi i fshehtë nuk është bërë për t’u provuar shumicat politike, por që institucionet e pavarura të mos dalin produkt i një krahu të vetëm. Jemi në një situatë ku ka degraduar cdo gjë, dhe shkak kryesor është qeveria që këtë korrupsion dhe e mbron duke kontrolluar institucionet. Prova e fundit ishte për të frenuar përpjekjet për të kontrolluar edhe KLD-në.

Ndryshe nga zoti Gjinushi u shpreh deputeti demokrat, Mark Marku. Zoti Marku tha se kjo mazhorancë kontrollon vetëm qeverinë dhe institucionet e varura prej saj dhe shtoi se asnjë forcë politike nuk dëshiron zgjedhje të parakohëshme, përfshirë këtu edhe vetë PS-në: Kjo është mazhoranca që kontrollon më pak institucione, nuk ka lidhje me realitetin. Asnjë forcë politike nuk do zgjedhjet e parakohëshme tani. Jemi në një fazë ku po reformojmë sistemin zgjedhor dhe asnjëra prej palëve nuk është e përgatitur për zgjedhjet, as PS, as LSI dhe as PD. Votimi për KLD nuk është një ngjarje e LSI, ndoshta LSI ka dhënë 2-3 mesazhe dhe mendoj që ka marrë edhe 2-3 mesazhe po aq të forta sa i ka dhënë, pra asgjë s’ka ndryshuar.

Top Channel