Përplasje të reja u regjistruan të dielën në Siri, ndërsa vëzhguesit e Organizatës së Kombeve të Bashkuara bëhen gati që të mbërrijnë në vend për të mbikqyrur armëpushimin delikat të arritur midis autoriteteve dhe rebelëve.
Nëpërmjet kanaleve të tyre, aktivistët raportuan se ka patur bombardime të rënda të qytetit të Homsit, ndërsa luftëtarë kryengritës duket se sulmuan një rajon policie në krahinën e Alepos.
Ditën e shtunë, Këshilli i Sigurimit kaloi rezolutën që autorizon vendosjen në vend të vëzhguesve të paarmatosur, si pjesë e planit për zgjidhjen e krizës.
Një zëdhënës i OKB-së konfirmoi se pesë monitoruest e parë do të mbërrijnë në një bazë ushtarake në Damask ditën e hënë, për të marrë më pas detyrat e tyre.
Një armëpushim u vu në jetë ditën e enjte, ndonëse janë raportuar shkelje të vazhdueshme të tij gjatë ditëve që e pasuan.
Në mënyrë që plani i paqes të zbatohet, kreu i OKB-së, Ban Ki-moon, lajmëroi se do të paraqesë përpara Këshillit të Sigurimit, në datën 18 prill, një projekt konkret për zgjerimin e trupave vëzhguese në të gjithë Sirinë.
Top Channel