Peshëngritje, mbërrijnë kampionët

15/04/2012 00:00

Me dhjetëra tifozë kanë pritur në aeroportin e Rinasit peshëngritësit shqiptarë të kthyer nga Europiani i Antalias, ku sportistët kuqezi kanë marrë rezultate të shkëlqyera, me medalje të arta dhe të argjendta.

Erkand Qerimaj dhe Romela Begaj zbarkuan mëngjesin e kësaj të diele, nën entuziazmin e tifozëve dhe me krenarinë e medaljeve të fituara në turneun e zhvilluar në Turqi.

Kampioni i Europës, Erkand Qerimaj, rrëfeu momentet e shpalljes si më të mirin në kontinent, duke premtuar se do të synojë të njëjtin sukses në Olimpiadën e Londrës këtë verë.

“Është një emocion shumë i veçantë të ngresh flamurin shqiptar dhe të shpallesh kampion Europe. Kisha besim se do të arrija rezultat të lartë sepse kam qenë në një formë të shkëlqyer gjatë kësaj periudhe. Përpara ëstë Olimpiada dhe i premtoj shqiptarëve që do të impenjohem edhe më shumë për të arritur edhe në Londër një rezultat sa më të mirë”, theksoi Qerimaj.

“Unë në shpirt ndihem kampione Evrope dhe më vjen shumë keq që gjyqtari nuk ma quajti të rregullt provën. Falenderoj Luan Shabanin që më përgatiti për të dalë kampione Evrope”, u shpreh Begaj.

Top Channel