Besimtarët ortodoksë rusë kremtuan Pashkët me pjesëmarrjen në shërbesën tradicionale të mesnatës të shtunën.
E gjithë bota ortodokse i festoi Pashkët një javë prapa atyre katolike. Liturgjitë e festës nisën mbrëmjen e djeshme në të gjitha kishat ortodokse të Rusisë për të zgjatur deri në mengjesin e Pashkës.
Shërbesa kryesore ishte ajo e kremtuar në katedralen “Krishti Shpëtimtar” të Moskës nga Patriarku i kryeqytetit dhe i gjithë Rusise, Kiril. Përpara se të niste meshën, lideri 65 vjecar i 165 milionë besimtarëve ortodoksë ruse, iu drejtua të gjithë vendit me urimet më të mira për Pashkën e shenjtë.
“Uroj që kjo festë të sjellë gëzim në zemrat tuaja, në zemrat e të gjithë njerëzve. Zoti ju bekoftë!” tha Patriarku, Kiril.
Patriarku e nisi meshën e Pashkëve me qirinj në duar, të ndezur nga zjarri i shenjtë i Jeruzalemit. Shërbesa kulmoi me një procesion të mesnatës, ku besimtarët me kryqe e ikona në duar, thërrisnin “Krishti u ngjall”. Në eventin e transmetuar nga televizioni shtetëror, presidenti në largim Dimitri Medvedev me të shoqen Svetllana, presidenti i zgjedhur Vladimir Putin dhe kryebashkiaku i Moskës Sergei Sobianin, qëndronin në krah të njëri-tjetrit me qirinj në duar.
Me t`u mbyllur pjesa e parë e shërbesës, Patriarku iu afrua liderëve të vendit për t`i bërë urimet e rastit e për t’i dhuruar secilit prej tyre vezë të zbukuara.
Pashkët paraprihen nga një periudhe 40 ditore agjërimi, e njohur ndryshe si Kreshma e Madhe, që simbolizon 40 ditët e kaluara nga Krishti në shkretëtirë me lutje e agjërim përpara se të tundohej nga djalli. Besimtarët frenohen vecanërisht nga konsumi i mishit, peshkut, vezëve dhe produkteve të qumështit.
Top Channel