Zyrtarët e komisionit zgjedhor në Egjipt përjashtuan dhjetë kandidatë nga pjesëmarrja në votimet për president, përfshi një ish-drejtues të shërbimeve inteligjence nën drejtimin e Mubarakut, Omar Suleiman dhe një drejtues të Vëllazërisë Muslimane, Khairat al-Shater.
Lajmi u konfirmua të dielën në një deklaratë të vetë komisionit zgjedhor. Ultra-ortodoksi Salafi Hazem Salah Abu Ismail dhe një kandidat i vjetër i opozitës, Ayman Nour, gjithashtu u pezulluan.
Secili prej të s’kualifikuarit ka 48 orë kohë për të apeluar. Në garë, mbeten edhe 13 kandidatë të tjerë.
Sipas mediave ndërkombëtare, lëvizja e autoriteteve egjiptiane ishte e papritur dhe pritet të ndikojë në mënyrë vendimtare në rezultatet e zgjedhjeve, edhe sepse kandidati i Vëllazërisë Muslimane dhe ish-kreu i inteligjencës gëzonin një mbështetje të gjerë në popull, midis shumicës islamike dhe përkrahësve të regjimit të vjetër.
Në një deklaratë, Suleiman dhe Khairat kanë shprehur hapur zhgënjimin e tyre të thellë për vendimin e komisionit. Sipas ekspertëve, pas vendimit mund të fshihet dora e autoriteteve ushtarake ende me shumë ndikim, që nuk duan një figurë të fuqishme dhe të identifikuar me një prej klasave dominuese të jetës shoqërore në Egjipt.
Raundi i parë i zgjedhjeve do të realizohet në maj, më shumë se një vit pas largimit të 83-vjeçarit Hosni Mubarak pas më shumë se tre dekadash në pushtet, si rrjedhojë e protestave të përgjakshme një-mujore.
Top Channel