Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka kaluar rezolutën që i hap dritën jeshile dërgimit të vëzhguesve ndërkombëtarë në terren për të monitoruar armëpushimin e ndërmjetësuar nga i dërguari i posaçëm i OKB-së, Kofi Annan.
Vëzhguesit do të raportojnë para KS-së më 18 prill mbi zbatimin e marrëveshjes së paqes mes opozitës dhe ushtrisë së presidentit Bashar al-Assad. KS zotohet gjithashtu për të ndërmarrë veprime të mëtejshme nëse në Siri nuk i jepet fund dhunës.
Teksti u finalizua të premten, por nuk ishtë ende e qartë nëse Rusia, që i ka vendosur veto dy rezolutave të mëparshme, do ta miratonte kësaj here në Nju Jork. Përpjekjet për hartimin e projekt/tekstit u penguan nga mosmarrëveshjet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat parandaluan votimin e së premtes.
Diplomatët e rishikuan draftin për të lehtësuar edhe kundërshtimet ruse dhe Moska dha votën e saj pro për të.
Rezoluta bën thirrje për zhvendosjen e një ekipi prej 30 vëzhguesish. Do të kërkohet një miratim tjetër për të shtuar numrin e tyre në 250, siç kërkon Kofi Annan. I dërguari i OKB-së dhe Ligës Arabe tha se një grup i vogël monitoruesish është thuajse gati për t’u nisur në Siri sapo të miratohet rezoluta.
Më herët, presidenti amerikan, Barack Obama autorizoi shtimin e ndihmës amerikane për opozitën politike siriane, përfshirë pajisje dhe furnizime mjekësore.
Aktivistët thonë se ushtria ka goditur disa zona në qytetin e Homsit, mbrëmjen e së shtunës. Ata publikuan video të tankeve dhe mortajat, vecanërisht në lagjen Qarabis, pak pas lutjes së të premtes.
Të dy palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit, që nisi mëngjesin e së enjtes, por me vënien e tij në zbatim dhuna është reduktuar, por ende situata mbetet e brishtë.
Top Channel