Koreja e Veriut nuk është dorëzuar pas dështimit të lëshimit të raketës-satelit. Nga vendi aziatik vijnë lajme të reja për një raketë ndërkontinentale që regjimi komunist po realizon.
Lajmin e bën të ditur televizioni koreano-jugor YTN, që citon burime pranë shërbimeve sekrete, që thonë se vektori i ri është testuar 4 herë në 16 javët e fundit.
Emri në kod i raketës, që po prodhohet në bregun veri-lindor, është “KN-08”. Në fillim të prillit shtypi në Seul kishte zbuluar se Peniani po punonte për një raketë ndërkontinentale, e aftë të arrinte Shtetet e Bashkuara.
Në orët e para të ditës së premte, mediat nga e gjithë bota transmetuan lajmin për dështimin e raketës koreano-veriore me rreze të gjatë veprimi, vetëm pak momente nga ngritja në ajër.
Zyrtarët japonezë dhe koreano-jugorë thanë se ajo fluturoi vetëm për disa minuta para se të binte në ujërat e Gadishullit Korean.
Uashingtoni, aleatët e tij, por edhe Rusia e Kina kritikuan Korenë e Veriut për lëshimin e raketës, duke e akuzuar vendin se po kërcënon sigurinë rajonale.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney nënvizoi se: “lëshimi i raketës, shkel ligjin ndërkombëtar dhe bie ndesh me angazhimet e fundit të Koresë së Veriut, sipas të cilave duhet të pezullojë cdo test raketash në këmbim të ndihmës ushqimore”.
Ministri i Jashtëm kinez, Jang Jieci duke folur në Moskë, krah Lavrov në një konferencë të përbashkët, ku ishte i pranishëm dhe homologu indian, u shpreh i zhgënjyer nga vendimi i Penianit për ta cuar deri në fund lëshimin e raketës.
Ndërsa kryediplomati rus, Sergei Lavrov tha nga ana e tij se Rusia nuk beson se sanksione të tjera do të bëjnë diçka për të zgjidhur situatën.
Por paradoksi i këtij testi ishte shpenzimi marramendës për ndërtimin e raketës, në një moment kur pjesa dërrmuese e popullit të Koresë së Veriut vuan nga kequshqyerja.
Top Channel