Mourinho: Jam një trajner i madh

13/04/2012 16:10

Jose Mourinho e ka cilësuar veten si “një trajner të madh’ duke u nisur nga gjithçka që ka fituar gjatë karrierës së tij dhe ka shtuar se kur të arrijë moshën 70-vjeçare do lërë përfundimisht botën e futbollit.

“Të flasësh për vete nuk është e lehtë sepse rrezikon që të tjerët të mendojnë se je arrogant, por unë e cilësoj veten duke u nisur nga ato që kam fituar si një trajner të madh”, është shprehur tekniku i Real Madrid në një intervistë për ‘Audi Magazine’.

“Kam pasur sukses në shumë vende dhe kjo ka ardhur sepse unë kam aftësinë të përshtatem shpejt me kultura të ndryshme dhe me filozofi të ndryshme të futbollit”, shtoi Special One.

“Kam fituar tre Champions dhe shumë kampionate kombëtare, por jam në një moshë që më kënaq më shumë festa e tifozëve të Interit apo atyre të Realit se sa fakti që më shtohet mua lista e trofeve”, thekson Mourinho, i cili mendon se karriera e tij do të përfundojë pas 20 vitesh ose thënë ndryshe në moshën 70-vjeçare.

“Dua që kur të përfundoj karrierën në moshën 70-vjeçare të jem krenar për atë që kam bërë. Gjithashtu kur të mos jem më trajner nuk do të merrem me komente e kritika siç bëjnë shumica e atyre që nuk kanë më lidhje me futbollin”, përfundoi trajneri portugez.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA