Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi u prit nga ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton.

Ish-Presidenti Clinton përgëzoi kryeministrin Thaçi për të gjitha arritjet e Kosovës që nga përfundimi i luftës, shpallja e pavarësisë dhe tani në periudhën e shtetndërtimit.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në emër të qytetarëve dhe Qeverisë së Kosovës falënderoi ish-presidentin Clinton për rolin e tij vendimtar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Në këtë kontekst, kryeministri Thaçi theksoi se historia moderne do ta mbajë mend presidentin Bill Clinton, së paku për tri gjëra: së pari për udhëheqjen efikase të SHBA-ve dhe rritjen ekonomike të lartë gjatë presidencës së tij; së dyti për rolin e tij vendimtar për ndaljen e spastrimit etnik dhe genocidit në rastin e Bosnjës e Kosovës dhe së treti për aftësitë e tij të rralla të komunikimit dhe të përcjelljes së mesazhve të duhura, jo vetëm për qytetarët amerikanë, por edhe më gjerë.

Kryeministri Thaçi e informoi Clinton për të gjitha arritjet e deritanishme dhe sfidat që vendi ka përpara, duke u fokusuar në domosdoshmërinë e integrimit të komunitetit serb, që jeton në veri të Kosovës në institucionet legjitime të Republikës së Kosovës.

Presidenti Clinton, në takimin me kryeministrin Thaçi tha se ndihet krenar që në momentin e duhur ka marrë vendimet e duhura për t’i dhënë fund luftës në Bosnjë dhe në Kosovë.

Clinton theksoi se do të vazhdojë të mbajë fokusin e tij në zhvillimet në Kosovë dhe se do të jap ndihmën e tij në adresimin e sfidave që e presin vendin, duke theksuar nevojën që Kosova të konsolidojë njohjen ndërkombëtare dhe të përqëndrohet në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies sociale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA