Kultivuesit e patates nuk i zbrazën dot stoqet me prodhim në dyert e qeverisë së Kosovës siç kishin premtuar.
Protesta e tyre mbeti në hyrje të Prishtinës ku dhe u ndaluan nga policia pasi nuk po u lejohej të shkonin në sheshin “Nëna Terezë” me justifikimin se atje po zhvillohen punime.
Në momentin që filluan derdhjen e patates në rrugë në aksin Prishtinë – Podujevë, policia ndaloi shtatë nga bujqit e ardhur nga e gjithë Kosova.
Ndaj bujqve të ndaluar ka nisur procedura për mosrespektim të urdhrave të policisë dhe bllokim të rrugëve dhe janë liruar, njofton Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci .
Ndërsa kryetari i Shoqatës Sindikale të Bujqëve, Tahir Tahiri, pohoi se shumë nga bujqit kanë marrë kërcënime që të mos dalin në protestë.
Në protestë bujqit kishin sjellë 15 traktorë dhe një kamion të vogël, të mbushur me patate, në shenjë pakënaqësie ndaj mbetjes së patateve të pashitura, në mungesë të ndihmës nga qeveria e Kosovës dhe çmimit të rritur të referencës nga Shqipëria.
Por megjithë uljen prej 10 cent të referencës disa ditë më parë, serish bujqit thonë se është tepër vonë, pasi ka kaluar koha e shitjes së patates.
Top Channel