Shoqata e Veteranëve të Luftës së UCK-së në Maqedoni ka shprehur gatishmërinë e saj për të ndihmuar banorët shqiptarë të Mitrovcës të cilët një ditë më parë u shfaqën në Top Channel të armatosur me qëllim të vetëmbrojtjes nga kriminelët serbë që veprojnë në Veri të Kosovës. Kryetari i kësaj shoqate Fazliu Veliu, përmes një komunikate për media, bëri të ditur se veteranët e UCK-së nuk do të rrijnë duarkryq kur populli shqiptar ndjehet i kërcënuar.
Për gjendjen e vështirë të banorëve shqitparë në Mitrovicë ka folur edhe Rufi Osmani, kryetar i partisë Rilindja Demokratike Kombëtare. Sipas tij, kjo situate e rëndë është krijuar si rezultat i pamudësisë së autoriteteve kosovare për të garantuar integritetin territorial në gjithë vendin.
Rufi Osmani, kryetar i RDK-së:
“Duhet të themi hapur se ky është dështim i rëndë edhe i faktorit ndërkombëtarë përmes EULEX-it dhe KFOR-it të cilët kanë lejuar që grupacionet e ndryshme kriminale jo vetëm të mbajnë peng një pjesë të territorit të Kosovës por dhe njëkohësisht të terrorizojnë popullatën shqiptare atje. Shpresoj se këto grupe të armatosuara shqiptare do të duhet të bëjnë durim deri sa të përfundojnë zgjedhjet në Serbi dhe më pas qeveria e Kosovës dhe bashkëpunim me KFOR-in dhe EULEX-in do të duhet definitivisht të qetësojë Veriun e Kosovës”.
Kreu i RDK-së, Rufi Osmani, më tej tha se përshkallëzimi i dhunës në Veri të Kosovës, do të kishte pasoja negative edhe në vendet fqinje, pasi sipas tij, derisa nuk sigurohet paqe në gjithë Ballkanin, tërë rajoni do të jetë i rrezikuara nga dhuna.
Top Channel