Policia serbe ka arrestuar nëntë persona të përfshirë në vënien e zjarrit ndaj ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Beograd, në vitin 2008, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Sipas mediave serbe, shumica e të arrestuarve janë huliganë futbolli, të cilët janë prangosur gjatë bastisjeve në qytete të ndryshme të Serbisë, përfshirë Beogradin. Ndërkohë, pesë persona të tjerë ndodhen në kërkim për të njëjtën akuzë.
Qindra protestues radikalë, më 21 shkurt të vitit 2008, katër ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, sulmuan ambasadat perëndimore në Beograd dhe dogjën një pjesë të asaj amerikane, për shkak të mbështetjes së Uashingtonit ndaj sovranitetit të Kosovës. Gjatë kësaj ngjarjeje humbi jetën një person.
Pasi është informuar me lajmin, ambasada e Shteteve të Bashkuara ka reaguar duke shprehur vlerësimin për operacionin e policisë dhe nxjerrjen para drejtësisë të të akuzuarve, por ka kërkuar edhe “aksion juridik” ndaj personave që frymëzuan trazirat.
“Është me rëndësi që të ushtrohet drejtësia, jo vetëm kundër atyre që morën pjesë në sulm, por po ashtu edhe ndaj atyre personave në pushtet, që urdhëruan ose mbështetën këtë shkelje të jashtëzakonshme të së drejtës ndërkombëtare dhe vendase”, thuhet në një deklaratë të ambasadës.
Top Channel