Pele ka lëshuar deklarata të tjera të çuditshme, ashtu siç bën gjithmonë. Ish-legjenda braziliane e futbollit ka dhënë mendimin e tij se kush është futbollisti më i mirë në botë, mendim që nuk është i njëjtë me atë të shumicës së specialistëve dhe tifozëve.
“Argjentinasit thonë që Messi është më i miri. Ai është një yll i futbollit, jam dakord. Por, për të qenë më i miri fillimisht duhet të kalojë nivelin e Neymar”, theksoi Pele për një televizion brazilian.
Neymar luan me ish-ekipin e Pele (Santos) dhe legjenda braziliane gjithmonë ka thënë se sulmuesi i ri është pasardhësi i tij dhe se nuk duhet të luajë në Europë për të treguar që është më i miri në botë.
Gjithashtu Pele foli për rivalitetin me Maradonën, por kësaj radhe theksoi se rivaliteti ka lindur nga një gabim i gazetarëve sportivë.
“Gjithmonë keni folur për rivalitetin mes nesh, por unë nuk kam qenë kurrë rival me të sepse unë isha sulmues, ndërsa Maradona mesfushor”, deklaroi Pele.
Top Channel