Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi është takuar në Nju Jork me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, të cilin e ka falenderuar për refuzimin që Kombet e Bashkuara i bënë Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë.

Sipas një njoftimi të publikuar në faqen e internetit të qeverisë kosovare, takimi është zhvilluar në selinë e OKB-së, ku kryeministri kosovar ka vlerësuar se mbajtja e zgjedhjeve lokale bie ndesh me rezolutën 1244, si dhe me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

Ndër të tjera, Thaçi ka informuar interlokutorin mbi tensionet e regjistruara së fundmi në veri të Kosovës, si dhe ka kërkuar ndihmën e tij që Kosovës t’i mundësohet pjesëmarrja në Lojrat Olimpike që do të mbahen në Londër.

Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, Thaçi ka zhvilluar një seri takimesh me krerët më të lartë të Shtetit, si me sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton, e cila i konfirmoi mbështetjen totale të SHBA, me presidentin Joe Biden, si dhe me sekretarin e Tregtisë, John Bryson.

Thaçi dha edhe një intervistë për Zërin e Amerikës, ku deklaroi se vizita e tij në Uashington rikonfirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve.

Ndërsa në një fjalim të mbajtur në Qendrën Ndërkombëtare për Studimet Strategjike, Thaçi deklaroi se Serbia vazhdon të gënjejë pakicën serbe të Kosovës me mundësinë e ndarjes së vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA