Gjyqtarët penalizojnë Romela Begajn

11/04/2012 00:00

Gjyqtarët i hoqën të drejtën peshngritëses shqiptare Romela Begaj të
shpallej Kampione Europe, por falë një gare perfekte ajo arriti të
shpallet nën/kampione në dy garësh dhe Kampione Europe në stilin e
shkëputjes.

Në stilin e shkëputjes 26-vjeçarja ngriti 102 kg, 4 kg më shumë se peshngritësja nga Azerbajxhani Boyanka Kostova e cila u rendit e dyta.

Në provën e parë në stilin e shtytjes, Romela Begaj ngriti 113 kg duke treguar se ajo ishte një nga pretendentet kryesore për këtë peshë. Në provën e dytë ajo ngriti 116 kg, por disa minuta më vonë gjyqtarët e quajtën këtë provë si të pavlefshme. Sipas tyre peshngritësja shqiptare bëri një faull teknik, duke bërë lëkundje gjatë mbajtjes së shtangës në gjoks, gjë e ndaluar kjo sipas rregullave në këtë sport.

Edhe pse dështoi në provën e tretë me 118 kg, në dygarësh 26-vjeçarja shqiptare ngriti 215 kg, po aq sa kampionia Kostova e cila mori medaljen e artë falë peshës trupore me të vogël se shqiptarja.

Prej më shumë se 2 muajsh Romela Begaj zhvillonte një stërvitje intensive me ish-kampionin e botës, Luan Shabani sot trajner i kombëtares greke.

Ndërkohë, një ditë më parë peshëngritësja tjetër shqiptare pjesëmarrëse në këtë europian, Fetije Kasaj nuk ka shkuar më shumë se vendi i 8.

Në stilin e shkëputjes 27-vjeçarja dështoi në dy prova dhe ngriti 78 kg dhe u rendit në vendin e 8, ndërkohë që në stilin e shtytjes ajo ngriti 108 kg duke u renditur në vendin e 5.

Në dy garësh Fetije Kasaj u rendit në vendin e 8-të. Në këtë europian Shqipëria përfaqësohet nga 12 sportistë, 4 femra dhe 8 meshkuj.

Qëllimi kryesor i kuqezinjve është marrja e sa më shumë pikëve të cilat do të mundësojnë shtimin e numrit të shtangistave që do të marrin pjesë në lojërat Olimpike Londër 2012.

Top Channel