Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i kërkon NATO-s që trupat e KFOR-it të vendosen në veri për të parandaluar incidentet që mund të pasojnë vrasjen e Selver Haradinajt.
Pasi i shkroi presidentit të Shqipërisë, Kurti, në një letër tjetër dërguar në adresë të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen dhe Komandantit të Përgjithshëm të KFOR-it, Erhard Drews, jep alarmin se shqiptarët në veri janë pa mbrojtje institucionale dhe nën mëshirën e strukturave ilegale të Beogradit, të cilat vazhdojnë të përdorin forcën për të frikësuar shqiptarët që t’i braktisin shtëpitë e tyre.
“Shumica e tyre janë larguar që nga viti 1999, ndërkohë që pas sulmit të fundit terrorist, shumë nga ata që kanë mbetur janë duke menduar për ta bërë një gjë të tillë. Strategjia e strukturave ilegale të Serbisë, e cila ka filluar që nga periudha e luftës, është për të ndryshuar përbërjen e popullsisë që jeton në veri të Mitrovicës, duke krijuar një realitet të ri në terren. Prandaj, incidentet ka gjasa të vazhdojnë, për të ndërtuar një de-fakto situatë atje, para fillimit të bisedimeve të paralajmëruara për veriun e Kosovës”, thotë Kurti në letër.
Për Kurtin strategjia e hapur e strukturave kriminale e të paligjshme për të spastruar veriun nga popullsia joserbe vetëm sa është inkurajuar nga heshtja dhe mosveprimi i institucioneve përgjegjëse të sigurisë në Republikën e Kosovës.
“E duke qenë se KFOR-i është akoma përgjegjës për ofrimin e një mjedisi të sigurtë për të gjithë popullin e Kosovës, me anë të kësaj letre ju kërkoj që të merrni masa të menjëhershme për t’i vendosur forcat e KFOR-it për të parandaluar incidentet e mëtutjeshme që mund të ndodhin”, nënvizon Kurti.
“Është jetike të veprohet tani, për të ofruar siguri për të gjithë dhe për të bërë të mundur që Kosova të jetë një shtet i së drejtës”, përfundon letra e tij.
Top Channel